LAJMI I FUNDIT

Policia e Shqipërisë i ofron 30.000 euro shpërblim për kapjen e 23-vjeçarit që vrau policin

Policia e Shqipërisë ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për kapjen e 23-vjeçarit A.M., që dyshohet se kishte vrarë me armë zjarri policin N.C.

Autoritetet e sigurisë njoftuan se i ofrojnë 30.000 euro shpërblim për atë që ofron informata të vlefshme që çojnë në kapjen të dyshuarit për vrasjen në fshatin Baltëz.

“Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro. Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit. Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Autoritetet njoftuan se Prokuroria po vijon me mbledhjen e të dhënave mbi rastin.