Policia e Kosovës tregon nëse i kanë dhënë leje VV-së për protestën e nesërme

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë të enjten pasdite, ku sipas tyre do të përformojnë mbi 3 mijë e 500 qytetarë. Për këtë, Policia e Kosovës ka konfirmuar që janë informuar dhe VV ka marrë leje për organizimin e nesërm.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Policia e Kosovës ka konfirmuar që nesër do të jenë prezent për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, shkruajn në përgjigjen e tyre për Gazetën Sinjali, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Më tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të veprojë konfrom Kushtetutës së Kosovës.

“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike,  shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”, njofton Zyra për Informim.

Ndërkaq, kujtojmë se mëngjesint e sotëm, për Gazetën Sinjali organizimin për përformancën në tri sheshet kryesore të Prishtinës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.