Policia e Kosovës tregon arsyen e ndalimit të Partizanit të Beogradit për të hyrë në Kosovë

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot Drejtuesit dhe basketbollistët e Partizanit të Beogradit janë ndaluar në pikën kufitare në Jarinë, ku nuk u është lejuar të hyjnë në Kosovë, me arsyen se nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (Federata e basketbollit të RKS-së). përcjell Ballkani.info.

Po ashtu Policia ka bërë të ditur se është ndaluar edhe një veturë, ku gjendej edhe një person zyrtar.

Policia e Kosovës, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 11:40/45 ia ka refuzuar hyrjen një veture me targa “BG”, në të cilën gjendeshin një zyrtar dhe tre persona të tjerë, si dhe një autobusi po ashtu me targa “BG”, i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës (RKS), thuhet në komunikatë.

Personit zyrtar dhe shoqërueseve të tij me veturën Audi me targa “BG”, iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, pasi që të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Punëve të Jashtme e RKS-së.

Po ashtu autobusi i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të RKS-së, në të cilin kanë qenë klubi i basketbollit “Partizani i Beogradit”, iu është refuzuar hyrja pasi të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (Federata e basketbollit të RKS-së).

Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë, të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë.