Policia e Kosovës, realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e procesit
zgjedhor, që kishte për qëllim ofrimin e sigurisë si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë
dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve në tërë
territorin e Republikës së Kosovës.

Pjesë e planit policor ka qenë edhe inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër
të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj
çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme
ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Referuar informacioneve zyrtare janë evidentuar disa raste të natyrave të ndryshme
të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 29 personave që ndërlidhen me rastet e
procesit zgjedhor, ku prej tyre 23 persona janë ndaluar me vendim të Prokurorëve
kompetent të Prokurorisë së Shtetit.

Vlen të theksohet se vlerësuar në aspektin e sigurisë në përgjithësi procesi zgjedhor
ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore, të cilat në një mënyrë apo tjetër nuk kanë
ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin
e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, duke përfshirë mbrojtjen e
të drejtave njerëzore në përgjithësi deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.

loading…