Policia e Kosovës reagon pas akuzave për ‘fshehje të gjurmëve’

Policia e Kosovës ka reaguar për të sqaruar një rast, i cili ishte dyshuar se ka qenë “fshehje e gjurmëve” nga ana e Policisë.

Më poshtë keni komunikatën e plotë të Policisë:

Referuar shkrimit të publikuar më 1.10.2018 në gazetën “Koha ditore” me titull “Policia “zhduk” gjurmët e krimit të një zyrtari të AKI-së” dëshirojmë të sqarojmë për mediat dhe për opinionin publik se:

Policia e Kosovës referuar shkrimit të kësaj gazete se “më 17 maj 2017, një veturë e AKI-së që lëvizte me shpejtësi në magjistralen Pejë-Prishtinë konkretisht në fshatin Gllarevë të Klinës, e kishte goditur një qytetar dhe nuk ishte ndalur fare për t’i ofruar ndihmë”, ka filluar me verifikimin e të gjitha raporteve zyrtare.

Që nga publikimi i këtij shkrimi e deri më sot janë verifikuar të gjitha raportet përmes stacioneve policore dhe drejtorisë rajonale, duke përfshirë edhe verifikimin në sistemin e bazës së të dhënave të PK-së, e që ka rezultuar se në datën, muajin, vitin dhe numrin e Prokurorisë të apostrofuar nga gazeta (PPN-427-18), figuron të ketë ndodhur aksident trafiku ku dyshohet se është përfshirë një veturë civile.

Referuar përshkrimit të publikuar dhe viktimës së apostrofuar në gazetë lidhur me aksidentin e trafikut, pas verifikimeve të detajuara në Policinë e Kosovës ka rezultuar se me datën 17 maj të vitit 2018 në Prokurorinë Themelore – Pejë, është dorëzuar rasti “aksident/incident”, i ndodhur me 10 maj 2018 në magjistralen Pejë-Prishtinë, konkretisht në fshatin Gllarevë të Klinës, por që në bazë të raporteve zyrtare, dyshohet të jetë e përfshirë një veturë civile Peugeot (e kaltër) me targa franceze me ngasës (H. S.) dhe këmbësori (H. M.) i apostrofuar në gazetë, i cili ka pësuar lëndime trupore.

Të gjitha rastet Policia e Kosovës i evidenton bazuar në procedura ligjore, dhe të njëjtat i emërton dhe inicion në konsultim dhe koordinim me prokurorët kompetentë, andaj bazuar në raportet dhe verifikimet e deritanishme rezulton se nuk ka të përfshirë në këtë rast ndonjë zyrtar apo automjet të AKI-së.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të gjitha rastet t’i trajtojë me seriozitet dhe duke u bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ndërsa garantojmë për një bashkëpunim të vazhdueshëm edhe me autoritetet tjera të drejtësisë që të gjitha rastet, pavarësisht nivelit dhe rolit që mund të kenë personat e përfshirë të trajtohen drejt dhe me paanshmëri të plotë.