Policia e Kosovës nuk gjeti asgjë pas kërcënimit me bombë në Prokurori

Sot në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, është pranuar një telefonatë kërcënuese, përmes së cilës një person ka kërcënuar me shpërthim Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorinë Speciale.

Menjëherë pas telefonatës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, duke kryer kështu edhe kontrolle brenda dy objekteve, shkruan Ballkani.info.

Kontrollimi i objekteve ka zgjatur që nga ora 10:30 e mëngjesit deri në orën 15:00 pasdite.

Policia ka dërguar edhe komunikatën ku ka dhënë detaje të mëtutjeshme rreth ngjarjes. /Ballkani.info

Komunikata e plotë:

Sot me datë 24.5.2019 rreth orës 10:30, në zyrën e pranimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë pranuar tri (3) thirrje telefonike. Në këto thirrje telefonike është lajmëruar një person mashkull i cili ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, duke bërë evakuimit e personelit, njoftimin e njësive të specializuara duke përfshirë njësitin e materieve shpërthyese dhe njoftimin e prokurorisë kompetente. Janë kontrolluar të dy ndërtesat, ndërtesa e Këshillit Gjyqësor dhe ndërtesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës.

Nga të gjitha veprimet operative dhe hetimore që ka ndërmarrë Policia e Kosovës, nuk ka rezultuar me të gjetur të ndonjë mjeti të dyshuar, dhe rreth orës 15:00 është liruar vendi i ngjarjes dhe rruga për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Sa i përket identifikimit të personit të dyshuar i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyes, Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në identifikimin e personit dhe abonuesit të numrit të telefonit nga i cili është kryer kanosja.

Në vazhdim, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim identifikimin e personit/personave të dyshuar dhe procedimin e tyre para organeve të drejtësisë.