Policia e Kosovës konfirmon raportimin e Ballkani.info, 8 serbë u arrestuan në Brezovicë

Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin për të cilin Ballkani.info raportoi më herët. Sipas Policisë së Kosovës, mbrëmë në Brezovicë janë arrestuar tetë persona të nacionalitetit serbë.

“Mund të konfirmojmë se me 24.02.2019 në zonën e Brezovicës, Policia e Kosovës ka ndaluar tetë persona të nacionalitetit serb, të cilët sipas procedurave policore janë shoqëruar për intervistim. Pas përfundimit të intervistimit dhe procedurave të verifikimit, në konsultim me prokurorin kompetent të dyshuarit të cilët dyshoheshin se mund ti perkasin ndonje strukture ilegale jan liruar”, ka thënë për Ballkani.info, Bajram Krasniqi nga zyra për informim e Policisë së Kosovës.

Raportimi ekskluziv i Ballkani.info:

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mbrëmë ka arrestuar tetë serbë, të cilët dyshohet se janë pjesëtarë të strukturave të inteligjencës serbe.

Burime të Ballkani.info brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se arrestimi i tetë serbëve është bërë në Brezovicë. Ata ishin të kamufluar si shpëtimtarë.

“Këta tetë persona kanë hyrë në Kosovë të enjten. Qëllimi i tyre ishte vëzhgimi dhe mbajtja nën kontroll e qendrës së skijimit me rekomandim të shtetit serb”, thotë burimet e Ballkani.info.

Ballkani.info po ashtu i ka siguruar edhe emrat e këtyre pjesëtarëve, të gjithë serbë nga Serbia, si dhe fotografinë e tyre dje në Brezovicë, pak para largimit nga aty.

Udhëheqës i këtij grupi është Bogiq Bogdanoviq, mëson Ballkani.info.

Bogdanoviq është pjesëtarë i formacionit SAJ (Njësia Speciale antiterror e Serbisë).

Arrestimin e tetë serbëve e ka konfirmuar edhe e ashtuquajtura Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. /Ballkani.info/