Raporti

Policia e Kosovës jep verdiktin për provat për protestë, ja si u cilesua dhe a do merren masa?

Policia e Kosovës e ka cilësuar si protestë normale tubimin e përkrahësve të Vetëvendosjes dje në sheshin e Prishtinës në kohën e pandemisë.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës provat e protestës së djeshme në Prishtinë janë cilësuar thjesht si protesta.

“Dje në sheshin Skënderbeu të kryeqytetit, rreth orës 14:00 disa persona të shoqërisë civile kanë protestuar duke e mbajtur distancën, të cilët kanë qëndruar rreth 20 minuta në shesh dhe pastaj janë shpërndarë të qetë”, thuhet në raportin e Policisë.

Dje në këto prova kanë marrë pjesë rreth 500 persona, derisa janë paralajmëruar edhe prova të tjera ku do të marrin pjesë rreth 1500 persona.

Sipas organizatorëve, provat e protestës janë kryer në formë të kujdesshme e të kufizuar. Ky tubim vjen në kohën kur të gjitha institucionen e shëndetësisë apelojnë njerëzit që të mos mblidhen pa nevojë. Madje për këtë punë kanë vendosur edhe një rregullore me anë të së cilës mund të lëvizë lirshëm secili qytetar. Asnjëri nuk guxon të dalë në vende publike jashtë orarit që i lejohet në baze të numrit të parafundit të letërnjoftimit.