Policia e Kosovës arreston dy të dyshuar për dhunim dhe trafikim të vajzave të mitura

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona si të dyshuar për veprat penale “trafikim me njerëz” dhe “dhunim”. Të arrestuarit janë B.R. 40 vjeç dhe tjetri 17 vjeç.

“Hetuesit policorë të Sektorit Qendror të Hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, pas hetimeve të realizuara kanë identifikuar dy viktima të mitura 13 dhe 15 vjeçare te cilat janë trajtuar sipas procedurave standarde të operimit dhe me datën 23.10.2021 janë vendosur ne strehimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Më, 27.10.2021, pas konsultimit me prokuroren e Prokurorisë Themelore Pejë dhe me urdhër verbal të gjykatësit të procedurës paraprake-Ferizaj, është kontrolluar një lokal në Ferizaj ku dyshohet se ka punuar njëra nga viktimat e mitura dhe banesa në Ferizaj ku janë strehuar viktimat e mitura”.

“Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin një të dyshuar, i cili ka punësuar dhe strehuar viktimat e mitura, i njëjti është intervistuar me prezencën e avokateve mbrojtës nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz’”, njoftoi policia.

“Pas intervistimit me vendim të prokurorit të rastit është konfiskuar një telefon dhe i dyshuari: B.R., ( viti i lindjes 1981, mashkull kosovar)  është dërguar në qendrën e ndalimit policor për 48 orë. Në vazhdimësi gjatë hetimit të rastit, më 29.10.2021, është bërë identifikimin dhe arrestimin i të dyshuarit të dytë (viti i lindje 2004, mashkull kosovar) nën dyshimin se ka kryer veprën penale ’dhunim’ që ndërlidhet me veprën penale të lartcekur. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari është dërguar në qendrën e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.