Policia e konfirmon se u sulmua në Leposaviq

Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimet se disa zyrtarë të saj janë sulmuar në mbrëmjen e së martës, në veriun e vendit.

Një njësi patrulluese kufitare është sulmuar sonte në Leposaviq nga persona të dyshuar, që besohet të jenë kontrabandues.

“Rasti ka ndodhur përderisa njësia patrulluese kufitare ne fshatin Joshanicë, komuna e Leposaviqit, ka tentuar ta ndalojë një automjet të dyshuar për kontrabandë, mirëpo i njëjti nuk është ndaluar dhe gjate ikjes ka rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë, duke tentuar që t’i godasë me automjet zyrtarët policorë të cilët ishin në detyrë”, ka treguar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Nuk raportohet për persona te lënduar, përderisa veprimet policore dhe hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ne bashkëpunim edhe me prokurorinë kompetente”, ka theksuar ai.