Policia e Gjakovës jep detaje rreth rastit të tentim vrasjes

Policia Rajonale e Gjakovës ka dhënë detaje rreth rastit të tentim vrasjes që ka ndodhur sonte në fshatin Dujakë të Gjakovës.

Zëdhënësja e Policisë, Lirije Podrimaj, tha për KALLXO.com se rreth orës 18:35, Policia në Gjakovë ka marrë informacion për një rast me të shtëna me armë zjarri në fshatin Dujakë.

Patrullat policore, sipas saj, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Aty janë njoftuar se për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të fqinjëve një person kishte mbetur i plagosur me armë zjarri dhe i njëjti ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë”, tha zëdhënësja e Policisë.

Lirije Podrimaj tha se Policia ka shkuar edhe në Emergjencë, ku sipas mjekut kujdestar viktima është jashtë rrezikut për jetë.

“Personi i dyshuar për momentin gjendet në arrati. Policia ka arritur të konfiskojë një armë e cila dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës. Po ashtu dy persona janë shoqëruar për intervistim në stacion policor”, tha Podrimaj për KALLXO.com.

Patrullat policore janë vënë në kërkim të personit të dyshuar.