Policia dje i shkoi në zyrë Bahtirit pas parlajmërimit të tij për ‘vëllavrasje’

Kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit dje i ka shkuar Policia në zyrë pas parlajmërimit të tij për vëllavrasje.

Bahtiri dje kërkoi nga presidenti që t’i shpallë zgjedhjet e reja, duke paralajmëruar vëllavrasje nëse nuk bëhet kështu. “Mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me leshu me na vjedh dikush pushtetin”, kishte thënë Bahtiri.

Për këtë Policia ka njoftuar se Bahtiri është marrë herët në mëngjes në stacionin e Policisë.

“Mitrovica e Jugut 30.03.2020 – 08:00. Është shoqëruar në stacionit policor i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën në fjalë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka njoftuar dje gjatë ditës se Bahtiri është intervistuar për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Bahtiri është lëshuar në procedurë të rregullt.

Bahtiri më vonë ka tërhequr deklaratën e tij duke thënë se në asnjë rast nuk ka bërë thirrje për vëllavrasje.