Policia dhe intelegjenca ruse nuk pajtohen rreth Navalny-t

Policia dhe Inteligjenca Ruse nuk pajtohen për atë se çfarë i ndodhi në të vërtetë Navalny-t

Zyrtarët rusë japin deklarata disi kontradiktore në lidhje me arsyet e krizës së papritur shëndetësore të Alexey Navalny-t. Laboratorët e specializuar në Perëndim përcaktuan që figura opozitare ruse ishte helmuar me një substancë të grupit Novichok. Moska mohon të ketë qenë prapa krimit, por ende nuk është në gjendje të japë një version koherent të ngjarjeve.

Në të njëjtën ditë kur shefi i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), Sergey Naryshkin, tha se agjencitë perëndimore të inteligjencës kishin organizuar një provokim për të vrarë aktivistin rus të opozitës, agjencitë e zbatimit të ligjit në Siberi pranuan që sëmundja e Navalny mund të ishte shkaktuar nga përkeqësimi i pankreatitit kronik.

Policia e transportit e Siberisë njoftoi më 6 nëntor se Navalny nuk ishte viktimë e helmimit në gusht. Hetuesit ndërmorën një sërë masash, gjatë të cilave mbi 210 persona janë marrë në pyetje dhe janë bërë mbi 60 analiza mjeko-ligjore, njoftuan zyrtarët e policisë. Si rrjedhojë, ata sugjeruan që Navalny u sëmur për shkak të problemeve metabolike dhe pankreatitit kronik.

Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë deklaroi për të njëjtën çështje se nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Gjermania për ndihmën e saj ligjore dhe informacionin mbi një agjent kimik “gjoja të zbuluar në Gjermani”. Sidoqoftë, edhe më 6 nëntor, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, Sergey Naryshkin, sugjeroi që shërbimet perëndimore kishin komplotuar për të helmuar Navalny-n. Kështu, Naryshkin pranoi se opozitari ishte prekur nga një agjent toksik, një pretendim të cilin Ministria e Brendshme e vendit e hodhi poshtë.

Shefi i inteligjencës pohoi se tentimi i helmimit të Navalny-t kishte për qëllim ringjalljen e lëvizjes së vyshkur të protestave në Rusi, potencialisht të asaj në Khabarovsk. Duke folur për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti, kryespiuni rus pretendoi se në vitin 2019 “anëtarë të shërbimeve speciale u takuan në një vend të NATO-s” për të “përdorur një udhëheqës të opozitës si kurban”. Naryshkin më tutje vuri në dukje se ai nuk kishte prova të drejtpërdrejta se vendet perëndimore kishin organizuar tentim-helmimin e Navalny-t.

Blogger-i iu përgjigj vetë këtyre “zbulimeve” në të njëjtën ditë. “Është qesharake se si ata, brenda një dite, e bëjnë Naryshkin-in të thotë që unë u helmova nga shtetet e NATO-s ndërsa Ministria e Brendshme thotë se nuk kishte helmim”, tha ai.

Deklaratat kontradiktore nga zyrtarët rusë tregojnë dy gjëra. Së pari, ata nuk i kanë duart e pastra në këtë çështje. Së dyti, ka mangësi në mënyrën se si strukturat e ndryshme të shtetit – përfshirë ato të pushtetit – koordinojnë detyrat e tyre, një provë e gjorë se si regjimi i Putinit është i gatshëm të përballet me sfidat e reja.