Rritja e rasteve me koronavirus në Kosovë, ka bërë që Policia dhe Inspektorati të jenë më aktiv në teren.
Këto të fundit mbëmë kanë inspektuar disa kafeteri në Prishtinë, për të parë nëse po i respektojnë masat e qeverisë antiCOVID.
Ky aksion është organizuar pasi ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u ka bërë thirrje institucioneve qendrore dhe atyre lokale, Policisë së Kosovës, Inspektoratit Shëndetësor dhe atij Sanitar dhe palëve tjera që kanë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftën kundër koronavirusit, që të zbatojnë vendimet e reja në pajtim me situatën.

Edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ditë më parë nuk ka përjashtuar mundësinë e shtrëngimit të masave, kjo me qëllim që mos të rritet numri i të prekurve me këtë virus.

Gjithashtu Policia e Kosovës dhe Inspektorati kanë intervenuar mbrëmë edhe në katër kafeteri në Gjakovë, dy prej të cilave i kanë mbyllur për shkak se të njëjtat nuk i kanë respektuar masat e qeverisë kundër përhapjes së COVID-19.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graisha.
“Policia dhe Inspektorati sonte kanë intervenuar në katër lokale, dy prej të cilave janë mbyllur pasi që nuk i kanë respektuar masat kundër përhapjes së koronavirusit. Njëra prej tyre ka pasur leje nga Ministria e Shëndetësisë, por për shkak se ka tejkaluar numrin e pjesëmarrësve, policia është detyruar ta mbyllë. Ndërsa, rasti tjetër është kafeteria për të cilën gazeta juaj ka raportuar më herët. Vlen të përmendet që ky lokal gjatë kohës së pandemisë është mbyllur dy herë”, tha Graisha.







