Policia demanton Listën Serbe për rastin e sulmit të serbit në Skenderaj

Policia e Kosovës ka demantuar deklarimet e Listës Serbe, se është sulmuar një serb në fshatin Runik të Skenderaj, ku sipas tyre ishte një sulm anti-serb.

Në njoftimin e policisë thuhet se rasti është raportuar më 16 janar dhe nuk ka fare lidhje me çështje ndëretnike, por ka të bëjë me veprën e iniciuar “Sulm”.

Tutje policia tregon se si kishte ndodhur rrahja mes M.K dhe B.S.

“M.K, mashkull kosovar serb, gjatë komunikimit me të dyshuarin mashkull kosovar B.S, kishte ardhur deri te fjalosja ndërmjet tyre si pretekst pasi viktima kishte dyshuar se i dyshuari në fjalë ia kishte dëmtuar (prerë) pyllin e tij në pronë private”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative hetimore, duke arrestuar personin e dyshuar si dhe duke intervistuar një dëshmitar të rastit.