Policia arreston një serb të dyshuar për krime lufte kundër popullësisë civile në masakrën e Dubravës

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një serb me inicialet G.M, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, konkretisht në masakrën e Dubravës.

Sipas Policisë, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale është lëshuar aktvendim për arrestim dhe ndalim policor në kohëzgjatje prej 48 orësh.

“Policia e Kosovës, respektivisht Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës kohore të viteve 1998/99 në Kosovë, ku përmes rrugëve hetimore- operative ka pranuar informacion për një të dyshuar potencial si pjesëmarrës në këto krime, konkretisht në masakrën e Dubravës në maj 1999. Policia e Kosovës, me datën 01.12.2022, ka shoqëruar të dyshuarin mashkull kosovar serb, G. M. (1958) në Polici për intervistim dhe procedura të mëtejme. Në konsultim me prokurorin kompetent i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit të tij të siguruar sipas detyrës zyrtare, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në njoftim.