Policia

Policia arreston 11 persona për sulmin ndaj pelegrinëve serbë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me sulmin ndaj dy autobusave me pelegrinë serbë që ka ndodhur në Studenicë të Komunës së Istogut, të dielën, më 21 tetor.

Sipas tyre, të dielën gjatë kohës që po largoheshin 170 vizitorët serbë me autobusë, disa persona kishin hedhur gurë në drejtim të tyre, me ç’rast kanë dëmtuar një xham të njërit autobus si dhe janë plasaritur disa xhama të autobusit tjetër.

Sipas tyre, nga ky sulm nuk ka pasur të lënduar.

Përderisa, ata njoftuan se për incidentin në fjalë gjatë ditës së djeshme policia ka shoqëruar për intervistë 11 persona, ku nga ta pesë janë arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Sipas njoftimit të tyre, pas intervistimit, ne konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

Ky është njoftimi i tyre i plotë:

Të nderuar, njoftoheni lidhur me rastin e ndodhur me datë 21.10.2018 rreth orës 15:15 në fshatin Studenicë-Komuna Istog, gjatë vizitës së rreth 170 vizitorëve serb.

Fillimisht dëshiroj të ju informoj se me Aprovim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Republikën e Kosovës me datat 20 dhe 21 tetor 2018, për vizitë kanë qëndruar një grup prej 170 vizitorëve Serb, në kuadër të kësaj vizite me datë 21.10.2018 vizitorët sipas agjendës se vizitës kanë vizituar ‘Manastirin e Deçanit’, ‘Patrikanën e Pejës’ dhe fshatin Studenicë-Istog.

Policia e Kosovës me qellim të mbarëvajtjes së kësaj vizite ka planifikuar masa të sigurisë si në përcjelljen e vazhdueshme policore ashtu edhe gjatë qëndrimit të tyre në lokacionet e potencuara. E tërë vizita që nga fillimi e deri në fshatin Studenicë ka kaluar pa ndonjë incident.

Gjatë vizitës në fshatin Studenicë konkretisht gjatë largimit të vizitorëve një grup prej 50 deri 60 qytetar të këtij fshati në shenjë pakënaqësie janë tubuar me tendencë për ta bllokuar rrugën për qarkullim të këtyre vizitorëve. Zyrtaret Policor të caktuar për masa të sigurisë kishin arritur që qytetaret t’i largojnë nga rruga dhe e kanë mundësuar lëvizjen.

Gjatë largimit të autobusëve derisa policët ishin duke e mbajtur rrugën e lirë, persona të panjohur në atë kohë kishin hedhur gurë në drejtim të tyre, me ç’rast kanë dëmtuar një xham të njërit autobus si dhe janë plasaritur disa xhama të autobusit tjetër.

Nën përcjelljen e policisë, vizitorët janë larguar të sigurte dhe pa lëndime fillimisht në drejtim të qytetit të Istogut dhe pas ndërmarrjes se proceduarave të autorizuara ligjore është vazhduar sipas agjendës në drejtim të Mitrovicës.

Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rasti për ‘Prishje të rendit dhe qetësisë publike’, si dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë se luajtshme’.

Pas një pune intensive operativo-hetimore me datë 22.10.2018 për në stacionin policor Istog, për intervistë janë shoqëruar njëmbëdhjetë (11) persona, ku nga ta pesë (5) janë arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Pas intervistimit, ne konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu lidhur me dëmtimin e xhamave të autobusëve janë identifikuar tre (3) persona të mitur K/Shqiptar të cilët janë arrestuar dhe pas intervistimit sipas procedurave, me urdhër te prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë te rregullt.

Për veprimet policore gjatë zbatimit të detyrave është bërë vlerësim operacional dhe lidhur me shkeljet e mundshme është iniciuar hetim i brendshëm disiplinorë.

Të nderuara media, Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar qe me të gjitha kapacitetet e saja të realizoj objektivat kryesore dhe zbatimin e detyrave ligjore që përmbajnë por nuk kufizohen vetëm me mbrojtjen e jetës dhe pronës si dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetaret pa përjashtim.