‘Polici sekrete’: Agjencia për Privatësi thotë se qeveria s’e konsultoi, opozita e quan nismë “Gestapo”

Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk ka qenë e ftuar për konsultim gjatë hartimit të projektligjit për Inspektimin Administrativ.

Nga ky institucion në një përgjigje për RTV Dukagjinin thonë se nëse ligji hynë në fuqi duhet të merren për bazë disa çështje.Partitë opozitare kanë vazhduar kritikat për ligjin që pritet të procedohet tutje në Qeveri nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Nuk duhet të tentojmë që përmes metodave policore të disiplinojmë administratën. Kjo është mosbesim ndaj administratës dhe mosbesim njerëzor ndaj qindra ekspertëve që punojnë në administratën e Kosovës”, deklaroi deputeti i PDK-së, Ferat Shala, përcjell Telegrafi.

Nga AAK shkuan edhe më tej duke e krahasuar inspektoratin në fjalë me policinë sekrete naziste e njohur si Gestapo.

“Kjo është një nismë “Gestapo” e Qeverisë Kurti”, ka deklaruar Besnik Tahiri.

Kritika ndaj projektligjit në fjalë kanë adresuar edhe nga shoqëria civile.

Poashtu kryetarët e komunave po kundërshtojnë Projektligjin për Inspektimin Administrativ.

Ata njëzëri, përveç atyre që i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, kanë votuar kundër këtij projektligji, i cili sipas tyre cenon të drejtat bazë të administratës shtetërore në Kosovë.

Madje komunat konsiderojnë se ky projektligj po hartohet me qëllim që të frikësohen shërbyesit civilë.