Polici që po akuzohet nga PSD se ushtroi dhunë mbi anëtarët e tyre, u dekorua dje!

Anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi, pas arrestimit të anëtarëve të tjerë të kësaj partie, ka publikuar fotografinë e Fatmir Miftarit, rreshter në Policinë e Kosovës, për të cilin pretendon se ka goditur në kokë zëdhënësen e kësaj partie, Natyra Kuçin. Fatmir MIftari dje u dekorua dje për kontribut të çmuar dhe shërbim meritor gjatë kryerjes së detyrave, duke u bazuar në standardet më të larta të shërbimit dhe profesionalizmit policor.

Krasniqi, nëpërmjet një reagimi në ‘Facebook’, ka thënë se edhe disa policë të tjerë kanë ushtruar dhunë ndaj aktivistëve të tjerë të PSD-së.

Në anën tjetër, në një postim në “Facebook”, më herët, zëdhënësja e PSD-së ka thënë që krimi i vetëm është brutaliteti policor jashtë dhe brenda ndërtesës së stacionit policor në Prishtinë.


“Krimi i vetëm këtu është brutaliteti policor jashtë e më shumë brenda stacionit policor. Për aktivistët e PSD-së e aksionet simbolike dhunë e arrestime, për tubimet e partive politike truproje”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Frashër Krasniqit:

Ky është Fatmir Miftari. Rreshteri i Policisë së Kosovës që e goditi në kokë Natyra Kuçin edhe pse ishte me duar të lidhura brenda stacionit policor. Pas reagimit tonë verbal, ai më mori në zyrën e tij dhe bashkë me 4-5 policë të tjerë më goditën për disa minuta pa ndërprerë.

Njësoj, disa policë të tjerë ushtruan dhunë ndaj Dardan Molliqajt, Nol Nushit, Veton Dragushës dhe aktivistëve të tjerë. Të gjithë me duar të lidhura. Të gjithë brenda stacionit policor.

Brutalitet e dënime për aktivistët e qytetarët, tolerancë e mbrojtje për partitë e pushtetet. Kjo është Policia e Kosovës.

Fatmir Miftari, polici nga Vushtrria, i cili u bë i njohur për publikun pasi që në korrik të vitit 2019 gjobiti një vajzë në Prishtinë pse qeshte me zë të lartë, nën pretekstin se e prishte rendin publik, është shpërblyer me medalje nga Policia e Kosovës