LAJMI I FUNDIT

Polici i plagosur gjatë aksionit për kapjen e grabitësve është jashtë rrezikut për jetë

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për aksionin e sotëm policor në lidhje me grabitjen e armatosur në Suharekë.

Policia ka konfirmuar vrasjen e një të dyshuari, arrestimin e shtatë të tjerëve dhe ka shtuar se edhe një i dyshuar tjetër është në kërkim policor.

Gjatë këtij aksioni, një polic është plagosur, për të cilin Policia ka thënë se është jashtë rrezikut për jetë.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor. Zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.”