Polici i Njësisë Speciale që ndan drejtësinë në fusha të futbollit

Ditën e nis në uniformën e Policisë së Kosovës, në kampin e Njësisë Speciale “Ben Veder” në Mitrovicë. Por, pas përfundimit të orarit të punës ndodh që ta veshë fanellën e gjyqtarit të futbollit dhe të ndajë drejtësi në fushë.

Bëhet fjalë për Isak Cerovikun nga Mitrovica, i cili drejtësinë e ka në plan të parë. Ceroviku është pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, e njohur më herët në opinion si ROSU, si dhe gjyqtar në Superligë dhe në ligat më të ulëta të futbollit kosovar.

Ai tregon për KOHËN se si e kalon një ditë të zakonshme si polic.

“Një ditë e zakonshme për mua fillon herët në mëngjes. Kemi angazhime në terren, ndërsa kur nuk kemi bëjmë ushtrime të shumta”, thotë Ceroviku.

Ai pohon se të qenët polic dhe gjyqtar është përgjegjësi shumë e madhe. Më të vështirë e vlerëson ndarjen e drejtësisë në fushë.

Image

“Të them të drejtën, për mua pak më e vështirë është puna e futbollit, për arsye se në futboll, e sidomos në futbollin tonë në Kosovë, ku nuk kemi VAR, të duhen 2-3 sekonda për të marrë vendim, i cili mund ta përcaktojë ndeshjen. Është minuta e 90-të, duhet të përcaktosh, është penallti apo nuk është penallti, është gol i rregullt apo i parregullt dhe ti i ke 2-3 sekonda në dispozicion që të vendosësh se cila është e drejta dhe për atë është më sfiduese. Ndërsa në polici, sidomos po flas për Njësinë Speciale, zakonisht kur të intervenon Njësia Speciale, e di se me çfarë ka të bëjë. Bëhet plani taktik, dihet ku do të shkojmë, kush janë personat, për çfarë po shkojmë, prandaj aty shkojmë më të përgatitur”, deklaroi Ceroviku, i cili përmend momente interesante që i ndodhin edhe në fushë.

“Më interesante në disa raste, kur unë e ndëshkoj dikë me karton, sidomos për kundërshtim në vendim, më ofrohen dhe më thonë, po ti nuk je këtu polic që po tregohesh kaq autoritativ, kaq strikt. Por kur është kartoni i pashmangshëm, nuk kam çfarë të bëj. Në shumicën e rasteve ndodh me sportivitet dhe në formë të shakasë”.

Ceroviku u është mirënjohës kolegëve dhe eprorëve, të cilët e kanë përkrahur shumë.

“Mbështetjen e kam pasur jashtëzakonisht të madhe, si prej mbikëqyrësve të mi të parë, si prej hierarkisë më lart, prej komandantëve të njësisë. Deri më tani nuk kam pasur asnjë pengesë. Puna primare për mua është në polici, por duke mos e përjashtuar as futbollin”, u shpreh Ceroviku.

Ai tregon se në derbin Drita – Gjilani dhe në disa ndeshje të përfaqësueses së Kosovës, ka qenë në uniformën e policit.

Image

“Të dyja kanë të bëjnë me drejtësinë, si policia e po ashtu edhe gjykimi në futboll. Më ka rënë shumë shpesh të ndaj drejtësi në ndeshje të futbollit, por edhe si polic, duke bërë sigurimin e ndeshjeve të futbollit. Më së shpeshti më ka rënë të jem në derbin, Drita – Gjilani apo Gjilani – Drita. Mund të them se në 80 për qind të rasteve kur është luajtur derbi kam qenë aty, por si polic është fjala. Kam qenë edhe në ndeshje të Kosovës si polic”.

Për Cerovikun flet edhe rreshteri Arben Kamberi. Ai e vlerëson shumë punën e Cerovikut.

“Isak Ceroviku është qe katër vjet pjesëtar i njësisë sonë, që nga viti 2016. Është i përgatitur si profesionalisht ashtu edhe fizikisht. Kur ka angazhime në referim, ne në përjashtim të rasteve operacionale të veçanta kur i kemi, e lirojmë që të jetë aktiv atje. Jemi të kënaqur me të, si dhe është nder për njësinë tonë që të kemi kësi zyrtarësh sikur ai”, tha Kamberi.

Puna më e madhe e Cerovikut është në terren. Ai së bashku me shokët e skuadrës intervenojnë në raste kur kërkohet, por kryejnë edhe kontrolle të zakonshme.

33-vjeçari tregon se si ia kishte shqiptuar një dënim futbollistit të njohur Liridon Latifi.

“Prej sportistëve, do ta veçoja futbollistin e njohur, Liridon Latifi. Viti nuk më kujtohet saktë, por e di që ia kam konfiskuar veturën dhe ia kam shqiptuar dy gjoba për parking të parregullt. Një rast tjetër më i veçantë është me drejtorin e përfaqësueses së Kosovës, Artan Govorin, të cilin e kam dënuar një herë për parking të parregullt”, tregoi Ceroviku.

Pasi e përfundon punën si polic, Isak Ceroviku i përkushtohet gjykimit në futboll.

Ai ka qenë gjyqtar në shumë ndeshje të Ligës së Parë, por ka edhe dy ndeshje të gjykuara në Superligë, kurse ka qenë edhe si gjyqtar i katërt në shumë takime të elitës.

Në kohën kur stinori vjeshtor është mbyllur, Ceroviku nuk po ndalet së punuari.

“Edhe pse stinori për klube ka përfunduar, nuk mund të them që ka përfunduar edhe për ne, pasi ne duhet ta mbajmë formën fizike dhe të jemi të përgatitur çdoherë. Siç dihet kampionati fillon në muajin shkurt dhe për ne nuk ka pushim. Duhet të jemi të përgatitur edhe për testet fizike, por edhe për vazhdimin e kampionatit”, shtoi Ceroviku.

Ceroviku zbulon se ka pasur rast kur është demoralizuar nga gjykimi.

Image

Gjyqtari i futbollit thotë se një ndeshje të Ligës së Parë e kishte ndërprerë shkaku i parregullsive.

“Ka pasur shumë sfida. Mund të them se ka pasur edhe gjyqtarë të cilët për shkak të sfidave e kanë ndërprerë referimin. Nuk janë shumë, por është një numër i caktuar që e kanë lënë referimin. Ka qenë një kohë më herët ku siguria ndoshta ka qenë më e vogël dhe për atë arsye ka qenë më sfiduese. Por tani, e sidomos pas pranimit në FIFA dhe UEFA, mendoj që i kemi të gjitha kushtet për siguri. Ka qenë një ndeshje, nëse mund të them një mini-problem. Pas përfundimit të pjesës së parë, në zhveshtore, disa persona të pandërgjegjshëm, me thënë më kanë sulmuar dhe për shkak të sigurisë, e kam ndërprerë atë takim dhe nuk kam dalë fare në pjesë të dytë”.

Ceroviku synon që një ditë ta ketë edhe stemën e FIFA-s.

“Gjyqtar dhe polic, ka qenë edhe Haward Webi, po ashtu ka pasur edhe të tjerë në sporte të ndryshme. Sa i përket stemës, shpresa vdes e fundit, qëllimi gjithmonë është dhe mbetet të shihet”, përfundoi Ceroviku.

Isak Ceroviku është gjyqtar i futbollit që nga viti 2007, kurse pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2012.