Gjykata

Polici i dyshuar për falsifikim të dokumentit zyrtar nuk e pranon fajësinë

Erduan Banushi,  polic në Stacionin Policor të Gjilanit, po akuzohet se duke intervenuar në një tiketë gjobe kundërvajtëse, ka kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit Shaban Spahiu, i pandehuri Erduan Banushi, deklaroi se e ka kuptuar në tërësi aktin në fjalë dhe se për veprën penale me të cilën ngarkohet nuk e ndjen vetën fajtor.

Gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor nga trupi gjykues në përbërje prej Aziz Shaqiri kryetar, Veli Kryeziu dhe Menderes Behluli anëtarë, u ftuan për dëgjim dy dëshmitarët Skender Dushica dhe Arton Iseni.

Dëshmitari Skënder Dushica, zyrtar policor në stacionin policor të Gjilanit gjatë dëshmisë së tij ndër të tjera deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në Prokurori.

Në pyetjen e prokurorit të shtetit se a ka biseduar me Erduan Banushin paraprakisht lidhur me këtë tiketë, dëshmitari u përgjigj duke deklaruar se “ paraprakisht kam biseduar me kolegun Erduan, i cili më ka njoftuar vërbalisht se personin që është gjobitë-kundërvajtësin e njeh sepse e ka bashkëfshatar dhe se nuk ka lidhje familjare me të por për shkak të gjendjës ekomonike të rëndë, nga unë ka kërkuar që a ka ndonjë mundësi ligjore që t’i ndihmohet këtij individi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të të pandehurit Erduan, avokatit Sevdail Robelli lidhur me atë se gjatë bisedës me Erduan Banushin a ju ka kërku që të bëni përmirësimin duke ju lutur juve apo ka kërku mundësi ligjore që disi ti ndihmohet një personi të varfër? Dëshmitari Skender Dushica sqaroi se  “gjatë bisedës ai më shumë më ka kërku këshilla nga unë se si të i ndihmohet këtij personi të varfër”.

Më pastaj procesi gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Arton Iseni, i cili ishte personi ndaj të cilit policia i kishte shqiptu gjobë kundërvajtëse dhe ia kishin marrë lejen e vozitjes, për arsye se në kamionetën e tij e kishte pasur fëmijun e tij ulur në ulësen e pasagjerit. Lidhur me këtë gjobë, ky dëshmitar deklaroi se i ka kërku ndihmë Erduan Banushit, që ti kthehet patent shoferi.

“ Pesë ditë rreshtë kam shkuar ta lus që të më ndihmojë rreth kthimit të patent shoferit, dhe ai nuk më ka premtuar asgjë se do t’ma sjell patentin por pas një jave ma ka dorëzu patent shoferin dhe gjobën në emër timin e kishte paguar Erduani në shumë prej 10 eurove. Nuk më ka kërkuar kurrfarë shpërblimi për këtë ndihmë sepse ai e ka ditë gjendjen time të rëndë ekonomike”. Deklaroi ndër të tjera, dëshmitari Arton Iseni.

Procesi gjyqësor më tej vazhdoi edhe me marrjën në pyetje të të akuzuarit Erduan Banushi.

Erduan Banushi gjatë dëshmimit të tij, tregoi se si kishte ardhur deri te kjo situatë lidhur me ndihmën që ai ia kishte bërë Arton Isenit për këtë tiketë dhe motivet të cilat e kanë shtyrë që të kërkoi mundësi ligjore për ti ndihmuar.

“Po e njoftoj gjykatën se gjatë kësaj kohe sa jam duke punuar në stacion policor asnjëherë nuk kam bërë ndonjë veprim të tillë dhe kjo është hera e parë dhe se ndërrimin e nenit të tiketës së gjobës e kam ndërrmarë vetëm për shkak të gjendjës ekonomike të rëndë dhe se tu e ditë që osht i një familjeje që i ka humbur 7 anëtarët e familjes në luftë”, tha në përgjigjet e tij i akuzuari Erduan Banushi.

I pandehuri po ashtu sqaroi se rastin e ardhjes së Artanit për të kërku ndihmë, “ai nuk më ka premtuar asgjë si shpërblim për ndihmën e dhënë, por as unë nga ai nuk kam kërkuar kurrfarë shpërblimi dhe kurrfarë dobie, prej tij”.

Sa i përket ndërrimt të nenit në tiketë i pandehuri deklaroi se është nis prej asaj pikëpamje se “nuk jam tu e shkelë ligjin pasi që një veprim të tillë e kam ndërrmarë me aprovim të kolegut tim Skënder Dushica”.

“Këtë veprim për të cilën akuzohem ekskluzivisht e kam ndërrmarë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të bashkëfshatarit tim, pa kurrfarë shpërblimi, përfitimi apo dobie, por edhe duke pasur parasysh faktin se ky person gjatë luftës ka humbur 7 anëtar të familjës dhe tani mban familjen vetëm me grumbullimin e mbeturinave të hekurit dhe jeton nga ndihma që ia ofrojnë bashkëfshatarët, deklaroi i akuzuari Erduan Banushi.

Për fund, i akuzuari shtoi se “kur kam intervenu në dokument zyrtar për arsyet e cekura nuk kam llogaritë se do të përgjigjem penalisht”.

Erduan Banushi akuzohet nga Prokuroria e Gjilanit se ka kryer veprën penale falsifkim i dokumentit zyrtar, sepse më datë 08 Janar 2018, në Stacionin Policor në Gjilan, ka falsifikuar dokumentin zyrtar në atë mënyrë që ka ndryshuar të dhënat e tiketës-fletëparaqitjen e zyrtarit policor Skënder Dushica, përkitazi me një gjobë kundërvajtëse ndaj Arton Isenit, duke e shënuar në vend të nenit 188 siç ka qenë në tiketë, nenin 118, i cili parasheh sanksion me gjobë më të vogël për kundërvajtësinë dhe për pasojë kundërvajtësi në vend që të paguaa dënimin e paraparë me gjobë prej 100 deri 300 euro, ka paguar 10 euro, përkatësisht 50 % të gjobës së paraparë prej 20 eurove.

Gjykimi do të vazhdoi më datë 16 Nëntor 2018, ku edhe do të jepet fjala përfundimtare e palëve.