Policë të papërgjegjshëm! Për nëntë muaj u arrestuan kaq zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës gjatë periudhës nëntë mujore të 2020-ës, me autorizim të Prokurorit dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar 27 zyrtarë policorë dhe tre 3 zyrtarë të PK-së nga stafi civil.

“Me rekomandim të IPK-së janë suspenduar 55 zyrtarë policorë dhe tre 3 të tjerë nga stafi civil”, thuhet në një përgjigje me shkrim të IPK-së dhënë Gazetës Express.

Gjatë kësaj periudhe kohore, IPK ka pranuar gjithsej 1,122 ankesa, ku prej tyre në Departamentin e Hetimeve janë dërguar 410 ankesa për hetim penal dhe 5 ankesa janë dërguar për hetime disiplinore.

Në mungesë të elementeve të veprës penale 703 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës (DHBVK) për hetim disiplinor.

“Trend i numrit të ankesave është përafërsisht i njëjtë me atë të vitit të kaluar me një ngritje të vogël krahasuar me vitin e kaluar (92 ankesa më shumë këtë vit)”, thuhet tutje në përgjigjen e IPK-së.

Ndërkohë, IPK ka njoftuar dje për arrestimin e një zyrtari policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “dhunë në familje”, sipas informacioneve të para raportohet se edhe gruaja e tij është police, ndërsa i njëjti dyshohet se ka sulmuar edhe fëmijët e tyre.