deputetët

Polemikë mes ministrit Hamza dhe deputetes Albulena Haxhiu

Projektbuxheti i vitit 2019 ka nxitur polemika në Kuvendin e Kosovës mes ministrit të Financave, Bedri Hamza dhe deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Haxhiu nuk u pajtua me kërkesën e ministrit Hamza që të bëhet kujdes me projektligjet që nuk kanë mbështetje buxhetore.

Ajo në debatin e seancës tha se Hamza duhet të gjejë buxhet për të gjitha projektligjet që janë në interes të qytetarëve duke shtuar se edhe buxheti që i është ndarë sektorit të drejtësisë është i vogël.

“Nuk bie dakord me ministrin e Financave ku thotë që të kemi kujdes për projektligjet që nuk kanë mbështetje buxhetore të mos përkrahen prandaj mendoj se kur Kushtetua na njeh të drejtën për të propozuar ligje, Qeveria është e obliguar që të mos lejojë të përfundojë në sirtarë të institucioneve por që ta zbatojë dhe të gjejë buxhet për të siç po gjeni për Ligjin për paga që ka implikime të mëdha”, tha ajo.

Pas kësaj deklarate Hamza kërkoi të drejtën e fjalës, ku tha se buxheti për drejtësinë është rritur por sipas tij gjithashtu duhet të ulen edhe numri i lëndëve.

“Është e qartë kush ka të drejtë me i sponsorizu ligjet, por kushdo që i sponsorizon është i obligum me kërku deklaratën e vlerësimit buxhetor dhe pa këtë ligji s’mund të ecë tutje. Sa i përket buxhetit të drejtësisë ka pasë rritje në raport me vitet e kaluara, prej 17-18 milionë ka shku në 20 milionë. Po buxheti është rritur dhe duhet me u rritë por edhe numri i lëndëve që presin duhet mu zvogëlu”, tha Hamza