Polemika të ashpra në Senatin e UP për zgjedhjen e personelit të rregullt akademik

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”  ka zhgjedhur personelin e rregullt akademik në disa fakultete. Për disa prej tyre u pezulluan vendimet. Për një kandidate të avancuar në nivelin akademik në Oxford dhe Universitetin e Italisë, u bë telash mungesa e një dëshmie të notave. Probleme pati edhe me zgjedhjen e disa kandidatëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Një prej çështjeve problematike që u parashtrua ishte dispozita e moshës së paraqitjes së kandidatëve, transmeton ballkani.info.

Dekani i Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugolli, ka thënë se kjo gjë duhet të hiqet, pasi sipas tij është kundër të drejtave të njeriut, raporton EkonomiaOnline.

“Unë jam kundër dispozitës së moshës, sepse është kundër të drejtave të njeriut. Kemi thënë që thirrjet nga institucionet nëse janë me kritere të universitetit i pranojmë, nëse nuk janë nuk i pranojmë. Nëse kandidati e ka marrë thirrjen e parë pasi t’i bëjë 50 vjeç, ajo më nuk vlen në aspektin e moshës. Mirëpo nëse fakulteti ka nevojë për këtë kuadër, atëherë do ta pranojmë,” është shprehur Dugolli.

Njëri kandidat nuk u pranua si staf akademik për shkak të mos dorëzimit të transkriptës së notave, me gjithë studimet e kryera jashtë vendit, ndërsa u komentua edhe fakti se kandidatë të tillë nuk po pranohen, kurse ata me lidhje familjare po.

“Na shpjegoni, jo e ka dhëndër, e ka… Kandidatja ka doktoruar në Zvicër. Na shpjegoni pse kjo kandidate nuk i plotëson kushtet,” ka thënë Myrvete Pacarda, dekane e Fakultetit të Mjekësisë.

“Është rast më specifik që kemi trajtuar ndonjëherë në senat. Kur është hapë konkursi, kemi diskutuar që Universiteti i Prishtinës më mirë të rezervohet. Ndonjëherë duke u thirrë në parime, fshihet diçka tjetër. Nuk dëshiroj të futemi në detaje personale sepse e dëmtojmë imazhin e universitetit dhe atë personal. Sa i përket transkriptës së notave, kandidatja ka diplomuar në Universitet të Italisë dhe në Oxford. Ka punu një vjet në Tribunalin e Hagës dhe kjo i bënë nder gjithë shqiptarisë, e aq më shumë universitetit. Të vendosim drejtë, mos ta njollosim UP”, ka thënë senatori i Fakultetit të Juridikut, Avni Puka.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Pukës rreth këtij rasti.

“Pse janë ngritë këto dilema? Është pikërisht për shkak të dekanit Haxhi Gashi. Për rektorin, për universitetin, jemi të informuar të gjithë se bëhet fjalë që është refuzu vëllau i gruas së Gashit. Që ka pasë ndërhyrje në këtë proces, në formular. kur e kemi dorëzu raportin e pranimit, që nuk është propozu miku i tij, ka ardhë shkresa për anulim.”

I acaruar nga kjo situatë e krijuar në senat, është shprehur edhe senatori i fakultetit të Edukimit, Naser Pajaziti.

“Ligjet zbatohen, nuk votohen. Cila është ana ligjore? A është e ligjshme, apo jo? Mos na qitni në lajthitje këtu” tha ai.