Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, e ka pranuar se nuk ka qenë në gjendje të largohej nga shtëpia për 10 ditë rresht, pasi skuadra e tij kishte humbur në finale të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.
Tottenhami u mund 2-0 nga Liverpooli në finalen e muajit të kaluar në Madrid dhe djelmoshat e Pochettinos mbeten me zemër të thyer pasi ecuria e tyre e ëndërruar mori fund aty.
Mohamed Salah shënoi nga penaltia herët në ndeshje, ndërsa Divock Origi e vulosi triumfin e të kuqve në minutat e fundit të një finaleje të zbehët.
Pas fitoreve të paharrueshme kundër Manchester Cityt dhe Ajaxit në çerekfinale dhe gjysmëfinale, Pochettino thotë se rezultati i finales ishte veçanërisht zhgënjyes.
“Po, ka qenë e vështirë. Ne i patëm tri javët më të pabesueshme për t’u përgatitur para finales. U zhgënjyem tepër për mënyrën sesi humbëm në finale”, tha Pochettino.
“I hipa trenit nga Madridi në Barcelonë një ditë pas finales. I kalova 10 ditë në shtëpi dhe nuk dola jashtë. Po, ka qenë e vështirë sepse për pak nuk e arritëm lavdinë”, shtoi ai.







