Mauricio Pochettino ka udhëtuar me skuadrën drejt Spanjës, atje ku po zhvillojnë ditët e fundit të stërvitjes, në prag të finales me Liverpoolin, për Champions League.

Trajneri argjentinas ka dhënë një intervistë për “Radio Marca”, ku ka folur për të ardhmen e tij dhe qëndrimin e skuadrës në Valdebebas, qendra stërvitore e Real Madridit.

“Nuk do ta marr vendimin për të ardhmen pas finales, është e rëndësishme të di çfarë planesh ka Tottenhami për të ardhmen. Nëse duam të vijmë në finalen e Champions League vitin tjetër dhe të konkurrojmë me Manchester Cityn dhe Liverpool duhet të bëjmë përforcime. Objektivi i City ishte të fitonte Champions League dhe i yni të përfundojmë stadiumin”, tha fillimisht trajneri argjentinas.

Real Madrid? – “Nuk kam asnjë synim tjetër përveçse të trajnoj Tottenhamin. Nuk shkoj aq larg duke ëndërruar. Futbolli të dërgon aty ku e meriton.”

Qëndrimi në Valdebebas – “Ne do të stërvitemi aty dhe do të flemë në një hotel aty pranë. Kërkova që të flinim në qendrën stërvitore por Florentino Perez më tha se aty mund të fle vetëm kur të jem trajner i Real Madridit.”