Trajneri i Tottenhamit

Pochettino del kundër aplikimit të teknologjisë VAR

Sipas trajnerit të Tottenhamit, Mauricio Pochettino, loja e shpejtë që zhvillohet në futbollin anglez mund të dëmtohet nga aplikimi i teknologjisë VAR.

Pochettino e ka mirëpritur vonesën e zbatimit të kësaj teknologjie në Premier League, duke iu frikësuar faktit se ky sistem mund t’i nervozojë tifozët e klubeve angleze.

Gjatë këtij sezoni, VAR-i është përdorur në FA Cup dhe EFL Cup, ndërsa që nga edicioni i ardhshëm do të jetë edhe në Premier League duke iu bashkuar kështu të gjitha kompeticioneve elitare në Evropë.

“Ishte ide e mirë shtyrja e aplikimit të VAR-it në Premier League, sepse nëse ne nuk kemi informacione të detajizuara për mënyrën sesi funksionon është më mirë të pauzojmë edhe për një vit. Askush në Evropë nuk është i lumtur me VAR-in, dhe çfarë më shqetëson më së shumti është se mund të krijohen situata që mund të nervozojnë tifozët. Nuk e di se çfarë reagimi do të kenë nëse loja ndalet për 5 minuta që të merret një vendim”, u shpreh Pochettino.

Trajneri argjentinas pati lëvdata për teknologjinë tjetër, Goal-line technology, që aplikohet për momentet e dyshimta në vijën e portës, ndërsa shtoi se dinamika e futbollit anglez është më e lartë në raport me atë spanjoll dhe italian.

“Nëse krahasohemi me Spanjën dhe Italinë, në Angli topi mbetet më shumë në lojë. Në ndeshjen ndaj Rochdale në FA Cup ishte një rast që mori shumë kohë për t’u shqyrtuar. Pas pushimit të pjesës së parë ishin 10 mijë tifozë më pak të pranishëm, nuk jam shumë i bindur për benefitet e kësaj teknologjie”, përfundoi Pochettino.

Tottenhami përballet sonte në “Stamford Bridge” me Chelsean në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales në EFL Cup, gjersa ishte pikërisht një vendim i VAR-it në takimin e parë që vendosi fituesin, me Harry Kane që e konvertoi në gol penalltinë e fituar pas konsultimit me teknologjinë.