Hallakama

“Po tutem që kanë me më hi lopët në oborr”, lloç e tollovi në pazarin e Vitisë

Çdo të enjte, Hasim Limani zgjohet me frikën se në oborrin e shtëpisë së tij do të gjejë mysafirë të paftuar.

Këta mysafirë janë të pazakontë, pasi janë lopë dhe gjedhë që i sjellin çdo ditë në pazar për t’i shitur.

Frika e tij lind nga fakti se shtëpia ku ai jeton është krejt afër pazarit që gjendet në fshatin Drobesh të Vitisë. Nga bartja e këtyre kafshëve që sillen çdo të enjte me mjete të rënda, është prishur edhe rruga afër shtëpisë, ndërsa balta e rrugës vetëm sa ka hyrë brenda.

Tollovinë më të madhe thotë se e bëjnë veturat, të cilat nuk kanë një vendparkim të veçantë. Për këtë, sipas tij, shoferët shfrytëzojnë oborret e shtëpive përreth.

Për të gjitha këto probleme, disa prej banorëve të këtij fshati kanë nisur një peticion për ndërrimin e lokacionit të tregut të kafshëve.

Deri në arritjen e numrit të konsiderueshëm të nënshkrimeve, ata do t’ia dorëzojnë komunës.

E këta tregtarë, ndërrimin e rrobave e kanë me patjetër, sepse në këtë pazar e sidomos kur bie shi, balta sa nuk u mbërrin te koka.