Policia e Kosovës qysh në orët e para të mëngjesit, së bashku me njësitet relevante, ka zhvilluar një operacion të gjerë policor në komunën e Kaçanikut, i cili ka të bëjë me hetimet e mëtutjeshme për vrasjen e rëndë të rreshterit policor, Muhamed Lika. 

Sipas raportimeve ende të pakonfirmuara zyrtarisht, nga ky aksion janë bastisur disa lokacione, nga ku dyshohet se ka edhe të arrestuar.

Lajmin se ka aksion policor, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, duke mos dhënë detaje më të hollësishme, për të cilat tha se do të bëhen publike pas përfundimit të këtij operacioni.

I njëjti shtoi se realizimi është bërë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e Drejtësisë.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka filluar një operacion policor, i cili po realizohet në komunën e Kaçanikut. Edhe në këtë rast pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha ai.