Po luanin bastore, 16 persona nga Podujeva përfundojnë në Polici

16 persona janë shoqëruar në stacion policor, pasi janë kapur duke luajtur lojëra të fatit në një lokal në Podujevë.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Sipas Policisë, të dyshuarit kanë qenë duke luajtur në bastore.

“Raportohet se në një lokal pa mbishkrim janë zhvilluar veprimtari të lojës së fatit (bastore). Brenda lokalit janë takuar 16 persona të cilët janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar”, ka bërë të ditur Policia.

Policia në vendngjarje ka gjetur dhe konfiskuar pajisje të cilat dyshohet se kanë shërbyer për lojëra të fatit.

“Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar pajisje të cilat dyshohen të kenë shërbyer për lojëra të fatit, si dhe disa para të gatshme. Me vendim të prokurorit të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt”, njofton Policia.