“Po dalin tanë t’knaqur”, reagimi Gani Gecit për marrëveshjen e Brukselit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në Bruksel për targat.

Duke komentuar një deklaratë të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili tha se është i kënaqur me marrëveshjen, Geci ka shkruar se një herë në jetë po ndahen të gjithë të kënaqur.

“Shyqyr zotit në baze te kti titulli; Aleksander Vuqiqi i knaqur, Albini Kurti i knaqur, Edi Rama i knaqur, Rexhep Qosja i knaqur. Nji herë në jetë po dalin tanë knaqur”, ka shkruar Geci.

Ndryshe, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pikëkalimet kuftitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajçak ka shkruar se pas dy ditësh negociatash, është arritur marrëveshja që e de-eskalon situatën në veri të Kosovës.

 “E kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalim dhe rrugën përpara sapo është arritur. E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak.

Marrëveshja përmban tri pika, që përfshijnë zhbllokimin e rrugëve për në Jarinjë dhe Bërnjak bashkë me pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës duke filluar nga e shtuna.