Platforma Scopus: Ministrja dhe deputetët e VV-së e vendosin Prishtinën si pjesë të Serbisë

Profilet në një platformë shkencore të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë një ministre dhe disa deputetë, tregojnë shkelje mbi parimet kushtetuese të vendit.

“Prishtinë, Serbi”, figuron lokacioni i regjistruar nga disa zyrtarë të ekzekutivit e legjislativit në profilet e tyre në platformën Scopus.

Scopus është një nga platformat më të rëndësishme në botë e cila përmban të dhëna mbi publikimet shkencore të autorëve ndërkombëtarë. Shkencëtaret e sferave të ndryshme i publikojnë aty botimet e tyre.

Platforma nuk e njeh Kosovën si shtet. Në këtë linjë është vendosur edhe një ministre e Qeverisë së Kosovës: Artane Rizvanolli. Në profilin në Scoupus të ministres Rizvanolli, kryeqyteti i Kosovës është regjistruar si vendbanim në Serbi, bazuar në të dhënat publike të platformës.

Paraqitja e Prishtinës si pjesë të Serbisë përbën shkelje të parimeve kushtetuese, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Përveç ministres së Ekonomisë, edhe funksionarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë regjistruar vendbanimet e tyre në Scopus në “Prishtinë, Serbi”.

Armend Muja, një profesor universitar dhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, është po ashtu i regjistruar në platformën shkencore Scopus.

Ngjashëm sikurse ministrja e Ekonomisë, edhe deputeti nga Mitrovica gjatë regjistrimit në platformën Scopus e ka regjistruar Prishtinën si pjesë të Serbisë, duke shkelur kështu parimet kushtetuese të Kosovës.

Kolegu i Mujës në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, po ashtu ka publikuar punimet e tij shkencore në këtë platformë dhe e ka vendosur aty Prishtinën brenda territorit të Serbisë.

Edhe deputetët tjerë të LVV-së, Ardian Gola e Fitim Uka, janë të regjistruar njësoj në platformën ndërkombëtare shkencore.

Deputeti Fitim Uka, punimin e fundit në Scopus e ka publikuar në vitin 2023.

Punimi i Ukës nxjerr në shesh edhe një të pavërtetë të thënë vitin e kaluar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberie Nagavci, e cila u ngut të marrë merita të ndërrimit të kodit të Serbisë me atë të Kosovës në këtë platformë.

Në një postim në shtatorin e vitit 2022, Nagavci tha se falë punës së MASHT-it,  Scopus e ka njohur Kosovën dhe vonesa, sipas saj, kishte ardhur nga neglizhenca e paraardhësve të saj.

“Platforma Scopus e njeh Kosovën. Përkundër nismave individuale të hulumtuesve që Kosova të jetë e listuar në një nga platformat më të rëndësishme shkencore në botë, siç është platforma Scopus, deri më tani ka munguar pjesa institucionale e veprimit”, kishte thënë ministrja Nagavci, vitin e kaluar.

“Si rezultat, e gjithë puna e hulumtuesve tanë nga Kosova deri më tani i është faturuar Serbisë. MASHTI ka marrë masa, duke e adresuar këtë problem dhe sot kam kënaqësinë të ndaj lajmin e mirë me gjithë komunitetin hulumtues se tashmë puna hulumtuese e tyre i njihet Kosovës”.

Suksesi i proklamuar nga ministrja Nagavci nuk është konfirmuar nga Scopus. Në këtë platformë, Kosova vazhdon të figurojë pjesë e Serbisë.

Për shkeljen e parimeve kushtetuese, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është vënë në ndjekje të televizionit kombëtar, Klan Kosova.

Rreth dy javë më pare, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, e cila funksionon në kuadër të MINT-it, nxori vendim për pezullimin e ceritifikatës së biznesit të Klan Kosovës për shkak të regjistrimit të afarizmit në kundërshtim me parimet kushtetuese, vetëm pse pronari i saj në një shtet tjetër, ku nuk funksiononte kodi “ xk” për Kosovë, regjistroi KGO Median me pasaportë të Serbisë.

Vendimi, nga i cili qeveria nuk është tërhequr ende pavarësisht prej reagimeve të përfaqësive të huaja diplomatike në vend e organizatave ndërkombëtare, është ende në fuqi. /Paparaci.com/.