Plas një skandal në Shqipëri, a ishte Ilir Meta punëtor i sigurimit të shtetit në kohën e diktaturës?

Një skandal i madh është zbuluar në Shqipëri. Mediat në shtetin shqiptar kanë raportuar në lidhje me bashkëpunimin e një politikani me Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së komunizmit.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që kap periudhën ndërmjet viteve 1944-1991, ka publikuar një raport. Në të, janë hedhur dyshime se një politikan ka bashkëpunuar me ish-inteligjencën e shtetit, që akuzohet për shumë krime në Shqipëri.

Madje, ky autoritet ka treguar se informacionet kanë të bëjnë me një profil të lartë politik. E ky politikan, është identifikuar me inicialet I.M., duke rezultuar se ka dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit.

“Shqetësimi është paraqitur së fundmi nga znj. Gentiana Sula, në seancën plenare të 21 korrikut 2022, gjatë raportimit të veprimtarisë për vitin 2021. Në këto rrethana, në rastet e shqyrtuara me përgjegjësi për subjektet A. D., Th. S., S.H., Xh. Sh.,D. Ç., dhe I. M., Autoriteti e ka bazuar vendimmarrjen në kërkesën për emërim/ngritje në detyrë”, thuhet në njoftim, transmeton Lapsi.al.

I vetmi politikan me profil të lartë me këto iniciale, është ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili e përfundoi mandatin e tij në vikendin që shkoi.

“Në rastet kur kërkesa për të njëjtit emra bëhet për verifikim figure, Autoriteti administron të gjithë dokumentacionin mbi personin në fjalë. Ngërçi e vë institucionin në pozitën që, një vendim i tij në përgjigje të kërkesës institucionale, deklaron se subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë se figurës së tij nga komisione të mëhershme verifikuese”, vazhdon njoftimi.

Tutje, në njoftim thuhet se autoriteti do të vazhdojnë punën përgjegjësi institucionale.

“Autoriteti siguron shoqërinë shqiptare, grupet e interesit, institucionet dhe partnerët, që do të vazhdojë të kryejë me integritet, transparencë dhe përgjegjësi institucionale detyrat e ngarkuara nga ligji, për zbardhjen e së shkuarës komuniste, në funksion të së ardhmes dhe konsolidimit të demokracisë”, thuhet tutje.

Kush është Ilir Meta?

Ilir Meta është një ndër politikanët veteranë të Shqipërisë.

Të dielën që kaloi, Meta e përfundoi mandatin e tij si president i Shqipërisë.

Kujtojmë që ish-presidenti shqiptar, ka qenë për vite udhëheqës i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por, këtë të marte ai ka treguar se ka themeluar një parti të re, të cilën e ka quajtur “Partia e Lirisë.

“Me mirënjohje për të gjithë delegatët për vendimin historik të themelimit të Partisë së Lirisë. Dje hodhëm hapin e parë në përmbushjen e misionit tonë për rivendosjen e Sovranitetit të plotë të popullit shqiptar nëpërmjet Referendumit”, thuhet në postimin e Metës në Facebook.

Ndryshe, Ilir Meta ka paralajmëruar rifillimin e rrugës opozitare në Shqipëri, duke deklaruar se Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, do të largohet sikurse Sllobodan Millosheviq, ish-diktatori i Serbisë, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

“Ai do të ikë si Millosheviqi, me zgjedhje dhe me protesta. Unë nuk i lë shqiptarët pa alternativë”, u shpreh dje Meta.