“Mund të them se grupi elitar i Kadirovit që erdhi në Ukrainë për ta eliminuar presidentin tonë është neutralizuar”.
Kështu u shpreh Sekretari i Këshillit Kombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Ukrainës, Oleksiy Danilov, i cituar nga agjencia “UNIAN”, kur njoftoi se e kishin eliminuar komandon çeçene që ishte në ndjekje të Zelenskyt.
“Ne jemi të vetëdijshëm për operacionin special që duhet të ishte kryer drejtpërdrejtë nga “kadirovitët” (çeçenë pro-rusë të lidhur me liderin Ramzan Kadyrov). Dhe mund të them se ne morëm informacion nga një njeri i FSB-së (inteligjenca ruse), i cili nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë luftë të përgjakshme”, kishte thënë Danilov.
Komandoja çeçene thuhet se u neutralizua më 26 shkurt gjatë luftimeve në zonën e aeroportit “Gostomel”, rreth 40 kilometra nga Kievi.
Ushtria ukrainase, siç raportoi gazeta “Kyiv Independent”, kishte shkatërruar një kolonë prej 56 tankesh që i përkisnin forcave speciale çeçene, të ashtuquajturit “Kadirovët”.
Lajmi u konfirmua nga presidenca ukrainase dhe sipas “Channel 24” gjatë luftimeve është vrarë edhe gjenerali çeçen, Magomed Tushayev, komandanti i regjimentit të 141-të të motorizuar të gardës çeçene, shumë besnik ndaj Kadirovit. Ky i fundit, përmes Telegramit, sipas agjencisë “Interfax”, u kufizua në numërimin e “dy ushtarëve çeçenë të vrarë dhe gjashtë të tjerëve të plagosur në luftën në Ukrainë”.
Burime të inteligjencës ukrainase të cituara nga gazeta “Ukrayinska Pravda”, zbuluan se veprimi kundër komandos çeçene ishte bërë i mundur falë një “bakshishi” nga një burim anonim, i cili u paraqit si “oficer i shërbimeve ruse të sigurisë”.
Spiuni i Federatës Ruse ishte kundër luftës dhe donte të parandalonte vrasjen e udhëheqësve ukrainas.







