Ballkani

Plani i Kosovës për krijimin e ushtrisë ringjall tensionet e vjetra në Ballkan

Agjencia e lajmeve “AP” i ka kushtuar sot një artikull planeve të Kosovës për krijimin e ushtrisë dhe kundërshtimeve nga Serbia.

Kosova është duke vepruar për të krijuar një ushtri të rregullt, duke hidhëruar fqiun Serbinë aq shumë sa të flasë për intervenim ushtarak, një kërcënim bosh.

Në votim të premten, parlamenti i Kosovës pritet ta aprovojë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të armatosur.

Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, tokë të cilën e humbën dy dekada më parë pas luftës dhe fushatës së bombardimeve të NATO-s.

Çdo lëvizje drejt krijimit të ushtrisë është bërë në përputhje me SHBA-në, thonë liderët, shkruan “AP”.

Serbia thotë se qëllimi kryesor i ushtrisë do të jetë marrja e kontrollit dhe spastrimi i veriut të Kosovës me shumicë serbe. Zyrtarët nga Prishtina e mohojnë.

Duke kërcënuar javën e kaluar për një intervenim të mundshëm ushtarak, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se shpreson se “ne nuk duhet ta përdorim ushtrinë tonë” por kjo është “aktualisht një prej opsioneve në tavolinë”.

Cili është qëndrimi i NATO-s?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jans Stoltenberg ka thënë se plani i Kosovës për krijimin e ushtrisë është “në kohë të papërshtatshme, shkon kundër shumë bashkëpuntorëve të NATO-s dhe mund të ketë ndikim tek perspektiva e Kosovës” për mundësinë e bashkimit në aleancë dhe në BE.

Nëse Kosova shkon përpara, Stoltenberg ka thënë se “NATO do ta analizojë nivelin e angazhimit tonë me Forcat e Sigurisë së Kosovës”.

Për çka shërben ushtria e Kosovës?

Ushtria e re do të ketë buxhet vjetor prej 98 milionë dollarësh, me 5000 trupa të armatosura me armatim të lehtë dhe 3000 rezervistë.

Zyrtarët e Kosovës kanë thënë se do të shërbejnë përgjigje në rast të krizës dhe operacione për mbrojtjen e civilëve, kryesisht me angazhimin e forcës së tanishme.

Detyra e saj kryesore do të jetë kërkimi dhe shpëtimi.

Faktori i SHBA-ve

Presidenti Donald Trump ka shfaqur pak interesim për tensionet në Ballkan por Kosova është virtualisht nën protektoratin amerikan falë ish presidentit Bill Clinton dhe administrimit të Bushit që u ndihmoi në shpalljen e pavarësisë.

SHBA ka rreth 600 ushtarë në Kosovë dhe çdo lloj sulmi nga Serbia do të ketë rezistencë të fortë. /Lajmi.net/