Plani i Haradinajt që do ta ndryshojë kryeqytetin përmes partneritetit publiko privat

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka thënë se kryeqyteti ka nevojë urgjente për investime të konsiderueshme në infrastrukturën publike dhe në shërbime nëpër të gjithë sektorët. Dhe për ta realizuar një plan madhor si ky, ai ka thënë se nevojitet aplikimi i partneritetit publiko-privat.

Një prej projekteve interesant që Haradinaj ka synim t’i realizojë sipas partneritetit publiko-privat është edhe ai i tramvajit në Prishtinë.

Nga ndriçimi publik tek transporti publik dhe nga shkollat tek ujësjellësit, sipas Haradinajt, Prishtina ka nevojë për investime masive në infrastrukturë dhe për ngritje të cilësisë së shërbimeve.

“Komuna e Prishtinës posedon resurse të limituara financiare dhe ne duhet të tregojmë kujdes të shtuar fiskal për të siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike. Duke bërë përzgjedhjen me kujdes të projekteve për implementim. Megjithatë, Prishtina nuk mund të heqë dorë nga investimet në infrastrukturën e saj. Disa vlerësime sugjerojnë që boshllëku ndërmjet resurseve në dispozicion dhe nevojave tona për investime në infrastrukturë gjatë 8-10 viteve është qindra milionësh”, ka thënë ai.

Sipas Haradinajt, Prishtina duhet ta shfrytëzojë përfshirjen e sektorit privat në ofrimin infrastrukturës dhe shërbimeve, përmes partneritetit publiko-privat.

“Prandaj, përveç mjeteve financiare nga buxheti publik, Prishtina duhet të shfrytëzoj opsionin e involvimit të sektorit privat në ofrimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, përmes Partneriteteve Publiko-Private. Kapaciteti i modelit PPP deri më tani nuk është shfrytëzuar sa duhet, as në Kosovë e as në Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.

“Në Prishtinë deri tani janë inicuar dhe janë në faza të ndryshme të implementit dy projekte PPP: projekti i koncesionit të Parkingut nëntokësor tek Katedralja, i cili tashmë është në fazën e ndërtimit. Ky model do të përdoret për parkingje të tjera nëpër tërë teritorrin e komunës, dhe Projekti i PPP Shkollave të Prishtinës, përmes fomës së iniciativës së financimit privat – PFI, ku për 3 shkollat e para, në Prishtinën e re, në Sofali dhe në Mat, tenderi tashmë është shpallur dhe janë duke përfunduar procedurat. Ndërsa për shkollën e katërt, në Arbëri, pritet një studim shtesë për çështje mjedisore të përfundoj para se të shpallet tenderi. Ky model, PFI, do të përdoret për shumicën e projekteve të sektorit shoqëror, si shkolla, kopshte, ndërtesa administrative, stadiume, e të ngjashme”, ka vazhduar Haradinaj.

Sektorët ku do të investohet sipas modelit publiko-privat të Haradinajt, janë transporti, projekti i tramvajit, autobusët publikë, arsimi, shëndetësia dhe shumë projekt të tjera.

Ndonëse PPP-të ofrojnë një zgjidhje, ato janë instrumente mjaft komplekse dhe kërkohet përkushtim i madh politik dhe kapacitet administrativ. Prandaj, Komuna e Prishtinës do të themeloj Njësinë e Implementimit të PPP-ve dhe do të sigurohen kuadrot adekuate njerëzore.

Më poshtë gjeni listë e plotë që Haradinaj ku Haradinaj ka ndërmend të investojë duke përdorur modelin publiko-privat për investime: Projektet PPP do të implementohen në këta sektorë:

Transport: Projekti i Tramvajit, do të shqyrtohet mundësia e shërbimit të autobusëve publik.

Arsimi: Projekti i filluar i shkollave me PPP (3+1 shkolla) do të sigurohemi që do të përfundoj me kohë dhe sipas kërkesave të studimit, studimi i fizibilitetit për shkollat të tjera dhe rehabilitimin e shkollave ekzistuese, me qasje programatike, studimi i fizibilitetit për kopshtet për fëmijë.

Shëndetësi: Përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore, spitali i Përgjithshëm i Prishtinës.

Sport dhe rekreacion: Projekti i fushave sportive, shtigjeve të vrapimit, shtigjeve biçikletave, projekti i KF Prishtinës në Bërnicë, projekti i Pallatit të Rinisë, së bashku me infrastrukturën përcjellëse .

Zhvillimi Urban: Ndriçimi publik – Projekti i rritjes së shtrirjes së ndriçimit publik me theks të veçantë në eficçencë të energjisë, projekti i menaxhimit të hapësirave të gjelbra dhe parqeve, revitalizimi i lagjeve të caktuara të Komunës së Prishtinës, projekti i nënkalimeve, projekti i parkingjeve.

Strehim publik: Projekti i banimit të përballueshëm për çiftet e reja.

Objekte administrative të Komunës së Prishtinës: Objektet e nevojshme adminstrative të Komunës së Prishtinës së bashku me shërbimet përcjellëse, Projekti gjithpërfshirës i administrimit të ujit, ujërave të zeza, Projekti i administrimit të ujërave të zeza, Projekti i pendës në fshatin Makovc.

Menaxhimi i mbeturinave: Projekti i menaxhimit dhe riciklimit të mbeturinave.