Plani 6-pikësh për implementim të marrëveshjes Kosovë – Serbi, sipas Vuçiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shpalosur planin 6-pikësh, për të cilin ka thënë se do të zbatohet në kuadër të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Ai pas takimit të Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në Beogard, tha se për këtë akt dihet pak në publik, por sipas tij, me këtë synohet të implementohet marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve.

Pos asociacionit që ai e ka renditur si pikë të dytë, janë edhe pesë pika të tjera që ai ua ka zbuluar gazetarëve. Pika e parë, sipas tij flet për rregullimin e kornizës ligjore, e treta për Policinë, e katërta për gjyqësorin, e pesta për zgjedhjet lokale dhe e gjashta për dispozitat e përgjithshme.

Asociacioni ishte temë edhe mes Vuçiqit e Lajçakut, të enjten pasdite, sikur që ishte edhe në Prishtinë gjatë dy ditëve të shkuara.

Lajçak tha se Asociacioni është çështje e kryer, pasi ai është firmosur, porse ka mbetur të diskutohet në Bruksel për statusin e tij.