Plaka nga Hajvalia që “lë” shtatzënë gratë, e që çon nga karroca të paralizuarit

Në Hajvali, një fshat pak kilometra larg Prishtinës, përveç rezidencës përrallore të biznesmenit dhe zëvendëskryeministrit Behgjet Pacollit, ku po ashtu një kohë tentohej të zhvendosej edhe administrata shtetërore, gjendet edhe një shtëpi ku disa njerëz shkojnë të kërkojnë shërim për sëmundje dhe zgjidhje për probleme të ndryshme.

Dhjetëra persona, kryesisht gra, gjatë gjithë ditës prisnin pranë një shtëpie dy katëshe në Hajvali.

Të gjithë këta kishin nga një hall, për të cilin kërkonin zgjidhje tek një grua që thotë se ka dhunti për të bërë mrekulli.

Në katin e dytë të shtëpisë me ngjyrë të verdhë gratë ngjiteshin një e nga një.

Ato priteshin nga zonja Fazile Berisha.

Ajo me shami në kokë e me një palë tespihe në duar i priste personat që hynin në dhomën e saj.

Personat që hyjnë tek ajo janë kryesisht gra.

Rreth 20 minuta zgjatë seanca me këtë zonjë. Aty, gratë i tregojnë hallet e tyre.