Në orët e mëngjesit të sotëm një grua është plagosur me armë zjarri nga një person në Fushë Kosovë, gjendja e së cilës aktualisht është stabile.
Në një prononcim për Telegrafin mjeku kujdestar i Emergjencës së QKUK-së, Sami Bajqinca ka thënë se për momentin nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje emergjente në sallë operative.
“Pacientja aktualisht stabile. Për momentin nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje emergjente në sallë operative. Një procedurë urgjente që është vlerësu se ka nevojë i është kryer. Procedura diagnostikuese janë bërë. Është duke u trajtuar në Qendren Emergjente. Presim rezultatet e imazherisë për nevojë eventuale ndërhyrëse”, ka thënë Bajqinca.
Ndërkohë, lajmin e ka konfirmuar për Ballkani.info, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Lidhur me këtë rast është arrestuar një person i dyshuar.
Ahmeti ka thënë se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.
“Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje- Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti. /Ballkani.info







