Plagosen dy vajza në Fushë Kosovë, i dyshuari arratiset

Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy vajza janë plagosur në Fushë Kosovë nga një person.

Rastin për Demokracia.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti tha se sot rreth orës 11:45, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Besa Besë” në Fushë Kosovë.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare  dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.

Ajo tha më tej se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit.