Në më pak se dhjetë ditë, plaçkitja e armatosur dhe dy vrasjet e fundit ishin pika kryesore e luftimit të kriminalitetit në vend nga Organet e Sigurisë së Kosovës.

Ditë e mërkurë, ora 15:45, data 22 nëntor raportohet një plaçkitje e armatosur në një dyqan argjendarie.

Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

Rasti i dytë, ishte fillimisht si “grabitje e armatosur me pasoja vdekje” e që më pas u ndryshua totalisht “busulla e ngjarjes”.

Liridona Ademaj Murseli, 30 vjeçare, u gjet e vrarë në një veturë të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Vrasja u krye me armë zjarri, përderisa autorët u larguan nga vendi i krimit me shpejtësi. Të premten e 1 dhjetorit, Policia e Kosovës arrestoi tre persona për këtë vrasje.

Në mesin e të arrestuarve janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ku në media është raportuar se ai ka pranuar se ka porositur vrasjen e së ndjerës, personi Granit Plava, që sipas prokurorisë është dorasi dhe i dyshuari Kushtrim Kokalla, i cili është pjesëtar i FSK-së.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e Naim Murselit dhe dorasit me inicialet G.P, të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.

Sipas Prokurorisë, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

“Sipas urdhëresës së prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po në të njëjtën ditë, me 29 nëntor rreth orës 21:30, Policia njoftoi se në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë, një person theri me thikë babanë e bashkëshortes.

Më 1 dhjetor, E. B është vetëdorëzuar në polici.

Ndërsa, me 2 dhjetor Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit, E.B për vrasjen e vjehrrit të tij.

Mirënjohjet për profesionalizmin nga ana e Policisë

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar lart punën e Policisë dhe Prokurorisë pas arrestimit të dy të dyshuarve që lidhen me vrasjen e Liridona Murselit të mërkurën në mbrëmje në Prishtinë.

Policia ka njoftuar sot [e premte] se ka arrestuar dy persona të lidhur me vrasjen e Liridona Murselit. Të arrestuarit janë bashkëshorti Naim Murseli dhe dorasi, i cili para Policisë e ka pranuar veprën, duke thënë se është paguar nga Naim Murseli.

Haxhiu ka thënë se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.