Pjesë e “Trojkës së tiranisë”, sanksione të rënda ndaj Venezuelës

Shtëpia e Bardhë vendosi sanksione të reja “tejet të ashpra” kundër Venezuelës këtë të enjte, teksa e denoncon Karakasin si pjesë të një “trojke tiranësh”, që përfshin gjithashtu edhe Kubën dhe Nikaraguan.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton i tha audiencës në Miami se, sanksionet do të shënjestrojnë veçanërisht sektorin e arit në Venezuelë, që është “shfrytëzuar si një burim financimi për aktivitete të paligjshme, për të mbushur arkën e saj dhe për të mbështetur grupe kriminale”.

“Trojka e tiranisë në këtë hemisferë – Kuba, Venezuela dhe Nikaragua, – e ka mbushur kupën”, shtoi Bolton, në një fjalim të parapërgatitur.

Bolton vijoi më tej me shpjegimin se sanksionet e reja janë vendosur përmes një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Donald Trump. Ai njoftoi gjithashtu se Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur sanksione të reja ndaj më shumë se 24 entiteteve në pronësi apo të kontrolluara nga ushtria dhe shërbimet sekrete kubane.

Ai e i quajti udhëheqësit e Venezuelës dhe Nikaraguas “autokratë të dëshpëruar” që u janë bashkuar homologëve kubanë në “sjelljen e ngjashme shtypëse të burgosjes së padrejtë, torturave dhe vrasjeve”.

“Trojka e tiranisë në këtë hemisferë nuk do të zgjasë përgjithmonë, – tha Bolton. – Si të gjitha regjimet e tjera shtypëse dhe ideologjitë e tyre, edhe ajo do ta prekë shpejt fundin”.

Duke folur për Nikaraguan, Bolton tha se regjimi i presidentit Daniel Ortega ka “zhbërë totalisht” institucionet demokratike, penguar fjalën e lirë dhe ka ndërmarrë politika fatale ndaj kundërshtarëve politikë.

Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të parakohshme, “regjimi në Nikaragua, ashtu sikurse Venezuela dhe Kuba, do të ndiejë peshën e plotë të sanksioneve të vendosura të Amerikës”, tha Bolton.