“Pishman”: Pas komunikatës fyese për Rugovën, VV fshin edhe shkrimet për Bidenin e KFOR’in

Vetëvendosje duket se ka nxjerrë jashtë përdorimit disa komunikata që shprehnin qëndrimet e saj për ngjarje dhe personalitete të njohura historike në vitet e kaluara.

Pas raportimit të Periskopit për një komunikatë të quajtur “Gjaku i humbur” ku ndër tjerash sulmohej Hashim Thaçi që kishte shkuar në varrimin e Ibrahim Rugovës, me këtë të fundit që quhej “kolaboracionist” [bashkëpunëtor i Serbisë], Vetëvendosje e ka fshirë atë.

Por, del se Vetëvendosje nuk është ndalur vetëm te “Gjaku i Humbur” ku sulmohej Rugova, por edhe shkrimin “Bideni e di mirë” të vitit 2010 ku natyrisht se nuk thuheshin gjëra të mira për presidentin aktual Biden.

Aty analizohej vizita e z.Biden në Kosovë dhe sulmohej pozicioni që kishte mbajtur elita e asokohshme politike e vendit.

Sidoqoftë, Vetëvendosje është distancuar edhe nga qëndrime të tjera të saj duke i fshirë nga faqja zyrtare online.

Mes tyre janë edhe sulmet që i bënte trupave të KFOR-it, por i fshirë është edhe një shkrim problematik i quajtur “Njësimi i partive politike” e që sërish flet për Rugovën.