Kanë shpërthyer zjarret përgjatë Anglisë jugore teksa Britania e Madhe sot ka përjetuar ditën e saj më të nxehtë të regjistruar, me temperaturat që kaluan mbi 40 gradë Celcius në kohën kur edhe shkollat janë mbyllur për shkak të nxehtit ekstrem, shkruan Daily Mail, përcjell Periskopi.
Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në Wennington, Essex duket se ka shkatërruar së paku dy shtëpi, teksa zjarre të shumta kanë shpërthyer edhe në rajonin e afërt në Upminster dhe përgjatë Dartfordit në Kent në ditën kur miliona njerëz janë duke punuar nga shtëpia.
Njësia e Zjarrëfikësve të Londrës njoftoi për një “gjendje emergjente” si përgjigje ndaj zjarreve të mëdha në kryeqytet teksa njësia u përball me “presion të jashtëzakonshëm” me 15 inxhinierë dhe 100 zjarrëfikës duke u përballur vetëm me shpërthimet në Wennington.
Termometri tregoi për një temperaturë të paparë më herët, 40.2 gradë Celcius në Aeroportin Heathrow, rreth një orë pasi që temperatura arriti në 39.1 gradë Celcius në Surrey, duke mposhtur rekordin e mëparshëm prej 38.7 gradë Celcius në Cambridge në korrik të vitit 2019.
Meteorologët kanë parashikuar se maksimumi deri në 43 gradë Celcius mund të arrihet sot.Sot, Mbretëria e Bashkuar është gjithashtu më e nxehtë se Xhamajka, Maldivet dhe Barbados.







