PIPOS: 49.1% e qytetarëve e duan Albin Kurtin kryeministër

Sondazhi i fundit i PIPOS thotë se Albin Kurti, është më i pëlqyeri nga kosovarët që të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Të anketuarit në këtë sondazh i cili u prezantua në Klan Kosova, radhitin të parin Kurtin me 49,1 përqind të votave.

I dyti në radhë nga ky sondazh si i preferuar për kryeministër të vendit doli, Enver Hoxhaj nga PDK-ja, i cili mori 21.60 përqind të përgjigjeve të të anketuarve.

Avdullah Hoti, i cili është bartës i listës së LDK-së në këto zgjedhje, është i treti në pyetjen se kush do të duhej të bëhet kryeministër i vendit me një përqindje 18.50.

Tutje 6.10% prej të anketuarve e preferojnë dikë tjetër (jashtë emrave të përmendur për pozitën e kryeministrit). Ndërsa 4.70% prej tyre kanë refuzuar të përgjigjen.