Piku i sezonit shton fluksin e pacientëve, 10 pushues çdo ditë me Covid në Velipojë

Piku i sezonit turistik ka shtuar edhe fluksin e pacientëve që marrin shërbim në qendrat shëndetësore verore të vendosura në plazhin e Velipojës.

Çdo ditë për të bërë testin e Covid paraqiten 10 deri 15 qytetarët. Mjekja Megi Blushi thotë se 90 % e tyre rezultojnë pozitiv.

“Nga 12 tamponë që bëjmë në një ditë, 90 % dalin pozitiv me covid”, tha mjekja.

Mjekja tregon se të shumtë janë edhe pushuesit të cilët kërkojnë ndihmën e parë.

“Shumica e pacientëve vijnë për gjendje virale, të vjella. Ka raste alergjia, shumë prej tyre vije pasdite, ose në mbrëmje”, shtoi Blushi.

Qendra shëndetësore është në funksion 24 orë. Një autoambulancë qëndron gjatë gjithë kohës e stacionuar së bashku me mjekët përkatës pranë kësaj qendre.

Këtë vit në plazhin e Velipojës nuk është shënuar asnjë humbje jete si pasojë e mbytjes./Abcnews.al/