“Pfizer” konfirmon se po punon me Kosovën për vaksinën, por thotë se marrëveshjet janë konfidenciale

Kompania që ka zhvilluar vaksinën anti-COVID “Pfizer”, as nuk e ka pohuar as nuk e ka mohuar arritjen e një marrëveshjeje me Qeverinë e Kosovës, për sjelljen e 500 mijë dozave të vaksinave në Kosovë.

Në një përgjigje dërguar KOHËS menjëherë pas njoftimit që ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë gjatë së martës, nga kjo kompani kanë thënë se nuk kanë asgjë për të njoftuar rreth sigurimit të vaksinave për Kosovën.

“Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuara për të sjellë këtë vaksinë, për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik. Ne do të punojmë ngushtë me qeveritë, përfshirë Kosovën për të siguruar qasje në vaksinë. Nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

Ministri i Shëndetësisë Zemaj dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, gjatë së mërkurës në një konferencë për media njoftuan se dozat e para të 500 mijë vaksinave të siguruara nga kjo kompani do të mbërrijnë në Kosovë gjatë muajit shkurt.

KOHA në lidhje me marrëveshjen si dhe detajet e tjera rreth sigurimit të këtyre vaksinave, ka pyetur edhe njëherë kompaninë “Pfizer” të premten, por nga kjo kompani kanë thënë se marrëveshjet e tyre me qeveritë janë konfidenciale dhe se pyetjet duhet dërguar Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.

“Na vjen keq që nuk mund të jemi më të dobishëm, por marrëveshjet tona me qeveri të ndryshme janë konfidenciale. Ndoshta do të ishte më së miri t’i drejtoheshit drejtpërdrejt Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë, që nga e enjtja nuk kanë kthyer përgjigje.