Pezullohet nga puna zyrtari i MKRS-së, dyshohet se mori 6 mijë euro ryshfet

Leotrim Gashi, zyrtar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, më 11 janar dyshohet se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 6 mijë euro në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë nga dy përfituese të grantit.

Ky veprim i jashtëligjshëm i kushtoi Gashit me 30 ditë paraburgim dhe humbjen e vendit të punës.

Zëdhënësja e MKRS-së, Zana Fetiu i tha Sinjalit se Gashi është pezulluar nga puna menjëherë pas konfirmimit zyrtar.

Si u kap zyrtari i MKRS-së?

Ishte ora 13:30, kur Leotrim Gashi, të hënën (11 janar) në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejt, pranoi ryshfet afër 6 mijë euro. Në ato momente, ai u kap në flagrancë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

30-vjeçari pranoi këtë shumë të të hollave nga G.T (emër i njohur për redaksinë), përfituese e një granti në vlerë të 12 mijë e 500 euro, si dhe nga E.A, përfituese e një granti në vlerë të 7 mijë e 44 euro.

Këto dy biznese përfituan grantet sipas thirrjes së Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit për bizneset që do të krijohen “start-up me spin-off” dhe biznese fillestare “start-up”.

Zyrtari i MKRS-së shumën prej 5 mijë e 580 eurove ua kishte kërkuar bizneseve në fjalë, me arsyetimin se u kishte ndihmuar të përfitojnë grantet.

Leotrim Gashi, me vendbanim në Skenderaj, dyshohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Ai përveç zyrtar në MKRS, ka punuar edhe si këngëtar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.