Pezullohet HEC-i në Holtë

Pas një sensibilizimi të madh qytetar, qeveria ka pezulluar punimet për ndërtimin e hidrocentralit në kanionin e Holtës, në Gramsh.

Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku dhe kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla zhvilluan një dëgjesë me qytetarët e Gramshit, nga ku u njoftua pezullimi i punimeve për ndërtimin e këtij hidrocentrali, por edhe për gjetjen e një ekuilibri mes nevojës për zhvillim ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit.

“Kam ndërmarrë pezullimin e të gjithë aktiviteteve të HEC-eve që janë licencuar ose që janë në proces licencimi. Për të bërë një skanim të pastër të statusit të tyre juridik dhe të shohim përputhshmërinë me impaktin mjedisor që ata krijojnë”, deklaroi Balluku.

“Pezullimi i ivestimeve në këtë central është shprehje e dëgjueshmërisë që institucionet shtetërore kanë mbi opinionin e njerëzve”, theksoi Klosi.

Nga ana e tyre, qytetarët e Gramshit janë shprehur të pakënaqur për mosinformimin për këtë çështje. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë ka vënë theksin në faktin që nuk do të preket hyrja e kanionit dhe të gjitha procedurat kanë qenë konform ligjeve.